Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet ndaj 31-vjeçarit Kejdi Banaj, i arrestuar dy javë më parë në tunelin e Skërficës, në aksin Kardhiq–Delvinë, pasi në automjetin që drejtonte u gjetën katër pistoleta tip “Glock” të fshehura.

Sipas hetimeve, policia kishte siguruar informacione operative se Banaj po transportonte armë zjarri me një automjet të marrë me qira, me destinacion Sarandën. Dyshohej gjithashtu se gjatë rrugës ai do të merrte rreth 500 gramë kokainë në Lushnjë, me qëllim shpërndarjen e saj në doza në qytetin bregdetar.

Reklame

Armët u gjetën të fshehura në makinë

Gjatë kontrollit në tunelin e Skërficës, efektivët zbuluan katër armët të fshehura poshtë tapicerisë së sediljes së pasagjerit të parë, brenda një qeseje të zezë.

Dëshmia: “Nuk e dija çfarë kishte në qese”

Në deklarimin e tij të parë, Kejdi Banaj ka mohuar çdo dijeni për armët. Ai ka pretenduar se ishte nisur drejt Sarandës për të kërkuar një apartament me qira për pushime, me kërkesë të një të njohuri të tij me inicialet E. S.

Sipas dëshmisë së tij, në Tiranë, E. S. dhe kunati i këtij të fundit kanë marrë një qese pranë autostradës së Kasharit dhe e kanë vendosur në automjetin që drejtonte Banaj.“Më mori E. S., që e njoh prej rreth 20 vitesh. Më tha të shkonim në Sarandë për të gjetur një shtëpi për pushime. Në Tiranë mori një porosi dhe e futi në makinën time, ndërsa vetë u largua me një automjet tjetër. Vetëm kur më ndaloi policia kuptova çfarë kishte në qesen e zezë”, ka deklaruar ai para gjykatës.

Pranoi se është përdorues droge

Gjatë seancës për masën e sigurisë, 31-vjeçari ndryshoi pjesërisht qëndrimin, duke pranuar se është përdorues i lëndëve narkotike prej disa vitesh, por duke këmbëngulur se nuk kishte dijeni për përmbajtjen e qeses ku u gjetën armët.

Një person tjetër në kërkim

Nga hetimet rezulton se personi i identifikuar me inicialet E. S., 26 vjeç nga Tirana, dyshohet se ka pasur rol në transportin e armëve. Ai është shpallur në kërkim dhe rezulton i dyshuar edhe për një tjetër rast të ngjashëm të ndodhur në muajin mars të këtij viti.

Gjykata ka vendosur ndaj Kejdi Banajt masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Lexo edhe:

Kontrolle makinave të luksit në Tiranë dhe Krujë, arrestohen dy persona,sekuestrohet kokainë e armë

Të shtëna me armë nga një jaht përballë Palasës, Policia vihet në ndjekje

Reklame