E premte, 25 Shtator, 2026

Alarm në Spanjë për një tjetër hyrje masive emigrantësh në Ceuta, shërbimet sekrete monitorojnë rrjetet sociale

67

Autoritetet spanjolle kanë ngritur nivelin e gatishmërisë pas sinjaleve për një tjetër tentativë të organizuar për hyrje masive të emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës.

Sipas radios Cadena Ser, që citon burime të shërbimeve inteligjente, fushata që po qarkullon në rrjetet sociale dhe u bën thirrje emigrantëve të tentojnë kalimin e kufirit më 15 gusht konsiderohet “plotësisht e besueshme”. Megjithatë, autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që organizatorët ta paraprijnë aksionin për të përfituar nga efekti i befasisë.

Reklame

Qendra Kombëtare e Inteligjencës së Spanjës (CNI) prej ditësh po monitoron aktivitetin në Facebook, WhatsApp dhe TikTok, ku po shpërndahen mesazhe dhe informacione të rreme mbi pikat e supozuara të dobëta të kontrolleve kufitare.

Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme e Spanjës ka deklaruar se disponon të gjitha kapacitetet e nevojshme për të përballuar çdo tentativë për hyrje të parregullt në territorin spanjoll.

Ky alarm vjen pas ngjarjeve të një jave më parë, kur një valë e madhe emigrantësh tentoi të hynte në Ceuta, duke shkaktuar një situatë të jashtëzakonshme në kufirin mes Spanjës dhe Marokut.

Për shkak të rrezikut për një tjetër valë emigrantësh, autoritetet kanë mbajtur në terren rreth 4 mijë efektivë të policisë, Guardia Civil dhe ushtrisë, ndërsa është paralajmëruar se numri i forcave mund të shtohet nëse situata e kërkon.

Në të njëjtën kohë, Maroku ka shtuar kontrollet dhe bllokadat rrugore në zonën kufitare të Fnideq-ut, për të parandaluar nisjet masive drejt Ceutës.

Edhe Bashkimi Evropian po ndjek nga afër zhvillimet. Një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi se niveli i alarmit mbetet i lartë dhe se institucionet evropiane po monitorojnë vazhdimisht informacionet që qarkullojnë në internet, duke bashkëpunuar edhe me platformat e rrjeteve sociale për të frenuar përhapjen e përmbajtjeve që mund të nxisin kalime të paligjshme kufitare./Corriere

Reklame