Advertisement

Disa gazetarë, analistë dhe komentues po sillen sikur Shqipëria u zgjua sot dhe zbuloi se çfarë janë protestat, zemërimi qytetar dhe përplasja mes një shoqërie të lodhur e një pushteti që nuk dëgjon.

Mos na hapni barkun me lotët për një fasadë të djegur, një vitrinë të thyer apo disa kosha të përfshirë nga flakët, ndërkohë që për vite me radhë keni qenë shumë më pak të ndjeshëm ndaj zjarreve që kanë djegur besimin, shpresën dhe dinjitetin e qytetarëve.

Reklame

Nuk po them se shkatërrimi i pronës është zgjidhje. Po them se nuk mund të bëni sikur dëmi i sotëm është i vetmi dëm që ka pësuar ky vend.

Ku ishit kur qytetarët e Unazës së Re luftonin kundër një projekti që u cenonte shtëpitë dhe jetën? Ku ishte e njëjta ndjeshmëri kur njerëzit në Rrjoll kundërshtonin zhvillime që i konsideronin kërcënim për pronën dhe të ardhmen e tyre? Ku ishte ky shqetësim i madh për abuzimet, padrejtësitë dhe përplasjet me shtetin e me interesat private?

Pse nuk ju dëgjuam me të njëjtin intensitet kur qytetarët përballeshin me një pushtet që nuk i dëgjonte? Pse atëherë nuk kërkonit me të njëjtën forcë përgjegjësi politike, transparencë dhe drejtësi?

Sot, papritur, na u bë shumë e shtrenjtë një vitrinë dhe shumë e dhimbshme një fasadë. Po zjarri që i është vënë shpresës së të rinjve, kush do ta llogarisë?

Po të rinjtë që studiojnë dhe nuk shohin perspektivë? Po familjet që nuk përballojnë jetesën? Po qytetarët që shohin se mundësitë nuk ndahen gjithmonë sipas meritës, por sipas lidhjeve dhe afërsisë me pushtetin? Po besimi i shkatërruar se në këtë vend mund të ecësh përpara me punë dhe dinjitet?

Këto nuk janë dëme? Nuk kanë kosto? Nuk lënë plagë?

Dhe ju që sot flisni me përçmim për të rinjtë që kanë dalë në rrugë, a ju kujtohen komentet tuaja për protestat e GEN Z në Nepal? Aty ku zemërimi i të rinjve u kthye në një lëvizje të fuqishme kundër një sistemi që ata e konsideronin të korruptuar dhe të mbyllur ndaj kërkesave të tyre.

Atëherë shumë prej jush e shihnit protestën nga larg dhe e komentonit si një shenjë të revoltës së një brezi. Sot, kur pakënaqësia shpërthen këtu, disa prej jush nxitoni ta reduktoni gjithçka te bari i djegur, xhamat e thyer dhe koshat në flakë.

Pse kjo diferencë? Pse zemërimi i të tjerëve quhet revoltë, ndërsa zemërimi i shqiptarëve trajtohet si një problem që duhet mbyllur sa më shpejt me disa etiketime?

Protesta është një e drejtë demokratike. Ajo nuk është dekor, as ceremoni ku qytetarët dalin, duartrokasin, mbajnë pankarta dhe kthehen në shtëpi sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Protesta është shprehje e një pakënaqësie që institucionet nuk kanë arritur ta dëgjojnë ose ta zgjidhin.

Sigurisht, përgjegjësia për veprimet e paligjshme është individuale. Askush nuk duhet të fitojë imunitet nga ligji vetëm sepse merr pjesë në një protestë. Por as askush nuk duhet të përdorë disa akte të dhunshme për të delegjitimuar çdo qytetar që proteston dhe çdo kërkesë që ngrihet në shesh.

Dhe mbi të gjitha, nuk mund të flasim për pasojat e zemërimit pa folur për shkaqet që e kanë prodhuar atë.

Përgjegjësia nuk është vetëm e atij që thyen një xham. Përgjegjësi politike kanë edhe ata që kanë ushtruar pushtetin, ata që kanë marrë vendime, ata që kanë toleruar abuzimet dhe ata që kanë pasur mundësi të korrigjojnë padrejtësitë, por kanë zgjedhur të mos e bëjnë.

Nuk mund t’i kërkosh një shoqërie të jetë e qetë përgjithmonë, ndërsa i kërkon të durojë padrejtësinë pa fund. Nuk mund t’i kërkosh rinisë të besojë te institucionet, kur vetë institucionet nuk i japin arsye për të besuar.

Prandaj, mos na thoni sot vetëm: “Shikoni çfarë u bë me ndërtesat!” Na tregoni edhe çfarë është bërë me këtë vend. Çfarë është bërë me pronën, me meritokracinë, me mundësitë e të rinjve, me drejtësinë dhe me besimin e qytetarëve te shteti.

Sepse Shqipëria nuk filloi të digjej sot.

Disa zjarre i shohim në ekran. Të tjerat kanë djegur për vite me radhë jetën e njerëzve, pa prodhuar asnjë titull alarmues në edicionet e lajmeve.

Dhe pikërisht për këto zjarre duhet të flasim, nëse duam të kuptojmë se çfarë po ndodh sot në rrugët e Tiranës.

Lexo edhe

Protesta studentore, reagon delegacioni i BE në Tiranë: Policia të veprojë në mënyrë proporcionale

Përshkallëzohet protesta studentore, i vihet zjarri filialit të IuteCredit tek Rruga e Durrësit

Reklame