Policia italiane ka sekuestruar mbi 414 kilogramë hashash në Guidonia, pranë Romës, ndërsa në pranga ka rënë një 29-vjeçar shqiptar.

Sipas autoriteteve italiane, droga dyshohet se ishte destinuar për tregun e shpërndarjes në Romë dhe provincat përreth. Vlera e saj, nëse do të hidhej në treg, përllogaritet në më shumë se 4 milionë euro.

Reklame

Operacioni nisi pas kontrolleve ndaj lëvizjeve të 29-vjeçarit pranë një godine në zonë. I riu u ndalua teksa po tentonte të ngarkonte në bagazhin e automjetit të tij disa valixhe të mëdha. Brenda tyre policia gjeti 98 kilogramë hashash.

Gjatë kontrollit, autoritetet i gjetën të riut edhe një tufë çelësash, të cilët i çuan hetuesit në disa ambiente të përdorura si depo për ruajtjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike mes Guidonia-s dhe Romës.

Në një prej ambienteve, një sasi e konsiderueshme hashashi ishte fshehur brenda frigoriferëve të përshtatur si hapësira magazinimi. Ndërsa në një garazh u gjetën materiale për paketimin e dozave, si dhe fletë të shkruara me dorë ku ishin shënuar llogaritje dhe sasi të drogës.

Në përfundim të kontrolleve, sasia totale e lëndës narkotike të sekuestruar kaloi 414 kilogramët.

29-vjeçari shqiptar akuzohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin e tyre. Gjykatësi ka lënë në fuqi arrestimin dhe ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.

Lexo edhe:

FBI vjen në Tiranë, kush është në shënjestër?

Horoskopi për ditën e diel, 20 Shtator 2026, parashikimi i yjeve për secilën shenjë

Reklame