Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, duke e cilësuar atë si “të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes”.
Ahmeti ka bërë thirrje për maturi dhe unitet, duke kërkuar që situata pas vendimit të mos shoqërohet me tensione apo përçarje.
Sipas tij, UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës. Ahmeti thekson se pretendimet e mëparshme për trafikim organesh nuk u shndërruan në akuza në këtë proces.
Ai iu referua gjithashtu vendimit të gjykatës, duke thënë se të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit dhe se gjykata ka konstatuar se objektivi i UÇK-së ishte pavarësia e Kosovës.
“Procesi nuk përfundon këtu”, shprehet Ahmeti, duke theksuar se mbrojtja pritet ta vijojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit.
Ai shtoi se beson që edhe akuzat e tjera do të kundërshtohen në procesin e mëtejshëm gjyqësor.
“Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve”, deklaroi Ahmeti.
Në përfundim të reagimit, ai theksoi: “Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel!”
Lexo edhe:
Berisha shpërthen pas vendimit të Hagës: “I padrejtë dhe i pamerituar!”
Rama reagon ashper pas vendimit në Hagë: “Marre!”















