Balliu: Krismat në Palasë janë fytyra e vërtetë e “narko-qeverisjes”, Rama fajëson protestat për turizmin

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur në Palasë, ku dyshohet se nga një jaht janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në ajër, duke alarmuar pushuesit.

Në deklaratën e tij, Balliu e cilëson ngjarjen si tregues të, sipas tij, degradimit të sigurisë publike në vend. Deputeti demokrat akuzon qeverinë se nuk po arrin të garantojë rendin dhe sigurinë, ndërsa pretendon se krimi vepron me ndjenjën e pandëshkueshmërisë.

Balliu e lidh gjithashtu ngjarjen me deklaratat e kryeministrit Edi Rama për protestat qytetare dhe ndikimin e tyre në imazhin e turizmit. Sipas deputetit të PD-së, dëmtimi i imazhit të Shqipërisë nuk vjen nga protestat, por nga pasiguria dhe incidentet kriminale në zonat turistike.

“Turizmin nuk e dëmtojnë qytetarët që protestojnë kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Turizmin e dëmtojnë krismat e armëve në mes të zonave turistike, pasiguria publike dhe perceptimi ndërkombëtar se Shqipëria po shndërrohet në një territor ku krimi vepron me arrogancën e të paprekshmit”, shprehet Balliu.

Deputeti demokrat kërkon nga organet ligjzbatuese që të zbardhin sa më shpejt rrethanat e ngjarjes në Palasë dhe të identifikojnë personat përgjegjës.

Balliu deklaron se Partia Demokratike dënon ngjarjen dhe kërkon që hetimet të zhvillohen në mënyrë të pavarur dhe pa ndikim politik.

Lexo edhe:

Të shtënat e dyshuara nga jahti në Palasë, Policia ndalon mjetin dhe shoqëron 4 persona

Jahti që alarmoi Palasën, kush ishin personat në bord? Mes të ndaluarve edhe djali i biznesmenit të njohur

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version