Të shtënat e dyshuara nga jahti në Palasë, Policia ndalon mjetin dhe shoqëron 4 persona

Policia ka ndaluar jahtin nga i cili dyshohet se u qëllua me armë zjarri në ajër mbrëmjen e së dielës, në det, përballë Palasës.

Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e kaluar, Policia bën me dije se pas marrjes së njoftimit rreth orës 21:00, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, Komisariati i Policisë Himarë dhe Stacioni i Policisë Dhërmi, së bashku me grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka.

Sipas Policisë, jahti po lëvizte në drejtim të Himarës. Pas ndjekjes, autoritetet kanë bërë të mundur ndalimin e tij në det, përballë Himarës.

Në bord ndodheshin katër persona, të cilët janë shoqëruar për verifikim. Bëhet fjalë për shtetasit Bruno Çela, 31 vjeç, Leonard Haso, 31 vjeç, Afrim Kastrati, 49 vjeç dhe Pashk Gjini, 60 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në ambientet e jahtit dhe ndaj personave që ndodheshin në bord.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve nuk është konstatuar asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar me marrjen e deklarimeve të personave që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Gjithashtu, janë kryer ekspertime për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes, me qëllim verifikimin e informacionit për të shtënat e dyshuara.

Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Deri në këtë fazë, Policia nuk ka konfirmuar zyrtarisht se nga cili person është përdorur arma dhe nëse të shtënat e raportuara kanë ndodhur realisht nga jahti. Hetimet dhe ekspertimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Lexo edhe:

Të shtëna me armë nga një jaht përballë Palasës, Policia vihet në ndjekje

Të shtëna nga jahti në Palasë, Policia ndalon mjetin lundrues dhe shoqëron dy persona (EMRAT)

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version