Zhurmat e larta në Velipojë, gjobitet me 200 mijë lekë pronarja e një lokali

Policia e Shkodrës ka vijuar kontrollet në zonat turistike për respektimin e nivelit të lejuar të zhurmave dhe orarit të aktiviteteve me muzikë gjatë sezonit veror.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara në Velipojë, një pronare lokali është ndëshkuar me gjobë administrative prej 200 mijë lekësh të rinj, pasi në ambientin që administronte u konstatua se gjenerohej muzikë mbi nivelin e lejuar.

Sipas Policisë, kontrollet janë kryer nga shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në bazë të hartëzimit të zonave me risk për ndotje akustike dhe pas ankesave të qytetarëve.

Gjatë operacionit janë testuar me pajisje matëse të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, si të hapura ashtu edhe të mbyllura, në zona turistike. Qëllimi ka qenë verifikimi i respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës, të përcaktuar në legjislacionin për administrimin e zhurmës në mjedis.

Nga matjet e kryera, në përputhje me procedurat standarde, është konstatuar shkelje në një lokal në Velipojë. Për këtë rast, administratorja e subjektit, shtetasja E. Gj., 23 vjeçe, është ndëshkuar me masë administrative prej 200 mijë lekësh të rinj.

Krahas kontrolleve për nivelin e zhurmës, Policia ka verifikuar edhe respektimin e orarit të lejuar për gjenerimin e muzikës në ambiente të hapura, në zona ose qendra të banuara. Sipas njoftimit, ky orar është nga 11:00 deri në 24:00.

Policia e Shkodrës bën me dije se kontrollet do të vijojnë gjatë sezonit turistik, në kuadër të masave për garantimin e sigurisë publike dhe ruajtjen e qetësisë për banorët dhe turistët.

Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve që të denoncojnë çdo shkelje të ligjit në numrin pa pagesë 112.

Lexo edhe:

Polici dhunohet nga dy persona në Shkodër, nis hetimi

Tragjedia në Shkodër, dalin detaje të reja: Nëna dyshohet se mbrojti fëmijët nga flakët

 

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version