Një 50-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Durrës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar me 6 vite burg për trafikim narkotikësh.
Në pranga ka rënë Gentian Lika, 50 vjeç, lindur në Kavajë. Arrestimi i tij është kryer nga shërbimet e Sektorit për Kërkimin FAST Albania, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të fazës së radhës të operacionit policor të koduar “FAST”, që synon lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas Policisë së Shtetit, Gentian Lika ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Romës, në Itali, me një vendim të muajit mars 2025, e ka dënuar me 6 vite burgim për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Pas arrestimit, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane, ka nisur procedurat për ekstradimin e 50-vjeçarit drejt Italisë, ku pritet të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane.
Policia bën me dije se operacionet për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar do të vijojnë.
Lexo edhe:
Durrës/Policia kontrolle për zhurmat në zonat turistike, matjet brenda kufijve të lejuar






