Një situatë e rrezikshme për jetën është regjistruar mëngjesin e së premtes në lumin Devoll, pranë digës së Moglicës, ku tre persona mbetën të bllokuar pas rritjes së menjëhershme të prurjeve të ujit.

Sipas informacioneve, në repartin e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Gramsh mbërriti një njoftim emergjent për tre persona që ndodheshin në rrezik, pasi po kalonin lumin Devoll me një mjet bujqësor të tipit “Zetor”.

Reklame

Menjëherë drejt vendngjarjes u nis ekipi i gatishmërisë, nën drejtimin e komandantit të repartit, Ilir Llapushi.

Në momentin e mbërritjes, zjarrfikësit konstatuan se niveli i ujit ishte rritur ndjeshëm, ndërsa rrjedha e fortë dhe dallgët kishin mbuluar pjesërisht mjetin bujqësor. Situata e kishte bërë të pamundur lëvizjen e tij dhe kishte vënë në rrezik serioz tre personat.

Në një prononcim telefonik për gazetarin Shkëlzen Hënkoja, komandanti i repartit të zjarrfikësve, Ilir Llapushi, e cilësoi ndërhyrjen si një prej operacioneve më të vështira.

“Prurjet e ujit ishin shumë të mëdha dhe të shpejta. Ndërhymë me dy automjete të zjarrfikëses dhe, me anë të litarëve, arritëm të futeshim për të nxjerrë tre personat. Ishte vendimtare që mbërritëm shpejt në vendngjarje, por edhe fakti që personat na dërguan një lokacion të saktë. Kjo na ndihmoi jashtëzakonisht shumë”, u shpreh Llapushi.

Ai tregoi se ndërhyrja ishte veçanërisht e vështirë për shkak të forcës së rrjedhës së ujit dhe turbullirës së krijuar nga rëra.

“Ishte një luftë e vërtetë me rrjedhën e ujit, pasi dallga ishte e fuqishme dhe uji shumë i turbullt nga rëra që transportonte. Për rreth 30 minuta zhvilluam operacionin e shpëtimit dhe, pasi nxorëm personat në siguri, bëmë të mundur lidhjen e një kavojë me mjetin ‘Zetor’, duke e tërhequr pranë kamionëve të zjarrfikëses deri sa niveli i ujit ra”, deklaroi komandanti i MZSH Gramsh.

Tre personat u nxorën të sigurt nga zona e rrezikut dhe, sipas informacioneve paraprake, janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Në përfundim të operacionit, komandanti Ilir Llapushi falënderoi ekipin e gatishmërisë për profesionalizmin e treguar gjatë ndërhyrjes, si dhe personat që kërkuan ndihmë dhe dërguan koordinatat e sakta të vendndodhjes.

Ai apeloi për kujdes maksimal gjatë lëvizjes pranë lumenjve dhe në zona ku mund të ketë rritje të menjëhershme të prurjeve të ujit.

Sipas tij, në situata emergjente, dërgimi i një lokacioni të saktë te ekipet e shpëtimit mund të jetë vendimtar për ndërhyrjen në kohë dhe shpëtimin e jetëve.

Lexo edhe:

AKSIDENT I RËNDË NË GRAMSH/ Automjeti del nga rruga dhe përmbyset disa herë, dy të plagosur

“Vetëm mos të bjerë kamioni”/ Dramë në aksin Gramsh–Kukur, mjeti me ushqime mbetet pezull mbi humnerë

Reklame