Policia e Shtetit ka publikuar një njoftim për qytetarët, duke paralajmëruar për një skemë mashtruese që synon marrjen e kontrollit të llogarive WhatsApp.

Sipas policisë, janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe linkeve mashtruese, përmes të cilave autorët përpiqen të marrin akses në llogaritë e përdoruesve.

Reklame

Si funksionon mashtrimi?

Mashtruesit mund të dërgojnë një link me pretendime të ndryshme. Një prej skemave të përdorura është kërkesa për të votuar në një konkurs.

Në raste të tjera, përdoruesit mund t’u kërkohet të konfirmojnë një veprim përmes një lidhjeje të dërguar në WhatsApp.

Pas klikimit, përdoruesi mund të joshet që të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp-it.

Ky kod është shumë i rëndësishëm për sigurinë e llogarisë. Nëse u dërgohet mashtruesve, ata mund ta përdorin për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër.

Në këtë mënyrë, autorët mund të marrin kontrollin e llogarisë WhatsApp.

Policia: Mos ndani kodin e verifikimit

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin disa hapa për mbrojtjen e llogarive të tyre.

  • Mos klikoni në linke të dyshimta, edhe nëse ju dërgohen nga persona që njihni.
  • Mos ia jepni askujt kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp-it.
  • Aktivizoni verifikimin me dy hapa (Two-Step Verification) në aplikacionin WhatsApp.
  • Nëse dyshoni se llogaria juaj është komprometuar, veproni menjëherë për ta rikuperuar.
  • Njoftoni kontaktet tuaja nëse dyshoni se dikush ka marrë kontrollin e llogarisë suaj.

Policia apelon për kujdes ndaj tentativave për marrjen e aksesit në llogaritë WhatsApp dhe thekson se mbrojtja e të dhënave personale nis nga kujdesi i vetë përdoruesve.

Mos ndani kodin e verifikimit me askënd dhe tregoni kujdes me çdo link që merrni në WhatsApp.

Lexo edhe:

Si të shmangni mashtrimet gjatë blerjeve online? Këshilla për blerje të sigurta në internet

Kujdes! Mashtrimi i ri që po qarkullon në telefonat e shqiptarëve: Mos klikoni këtë mesazh

Reklame