Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për ekzekutimin e Edmond Sulës, ngjarje që tronditi opinionin publik. Sipas burimeve hetimore, dyshimet paraprake janë se autori ka vepruar i vetëm dhe ka planifikuar me kujdes çdo lëvizje para dhe pas krimit.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në zonë nuk rezulton që autori të ketë përdorur automjet për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Hetuesit besojnë se ai ka zgjedhur një itinerar që nuk mbulohej nga kamerat, duke shmangur kështu identifikimin.
Sipas të dhënave të deritanishme, autori dyshohet se ka qëndruar i fshehur në barishte, pas një peme, në pritje të viktimës. Pas kryerjes së vrasjes, ai mendohet se është larguar në këmbë, duke kaluar nëpër ara dhe më pas në një zonë të pyllëzuar, ku ka humbur gjurmët.
Grupi hetimor dyshon se autori e njihte shumë mirë terrenin dhe kishte studiuar paraprakisht zonën, çka i ka mundësuar të largohej pa u filmuar nga kamerat e sigurisë.
Një element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se, ndryshe nga shumë atentate të kryera në Shqipëri, nuk është gjetur asnjë automjet i djegur apo armë e braktisur, metoda që përdoren shpesh nga vrasësit me pagesë për të zhdukur gjurmët.
Pikërisht për këtë arsye, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autori të mos jetë një vrasës me pagesë, por një person që ka pasur konflikte të drejtpërdrejta me viktimën. Sipas burimeve, Edmond Sula kishte pasur konflikte të shumta, të cilat po verifikohen si pjesë e hetimeve.
Policia dhe Prokuroria vijojnë grumbullimin e provave dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes, me synim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Një plumb, asnjë zhurmë dhe një goditje fatale! Hetimet për ekzekutimin e Edmond Sulës















