Shqipëria ka shënuar një tjetër hap në procesin e integrimit europian, duke mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian në përfundim të Konferencës së 9-të Ndërqeveritare, të zhvilluar në Bruksel.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një “gur kilometrik” në rrugën e anëtarësimit të vendit në BE.”Sapo ramë dakord të mbyllim tre kapituj të rëndësishëm negociatorë. Ky nuk është thjesht një hap, por një vlerësim i qartë se Shqipëria po ecën përpara, reformat po japin rezultate dhe vendi ynë është gjithnjë e më i përgatitur për të marrë përgjegjësitë e anëtarësimit,” u shpreh Rama.
Tre kapitujt e mbyllur janë:
- Kapitulli 25 – Shkenca dhe Kërkimi;
- Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura;
- Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë.
Me mbylljen e tyre, Shqipërisë i mbeten edhe 30 kapituj për t’u negociuar, ndërsa objektivi i qeverisë është përfundimi i negociatave teknike brenda vitit 2027.
Rama: Do të shfuqizohet ligji për investimet strategjike
Gjatë konferencës, kryeministri deklaroi se ligji për investimet strategjike do të shfuqizohet, pasi, sipas tij, ka përmbushur misionin për të cilin u miratua.
Ai bëri të ditur se në bashkëpunim me Komisionin Europian po hartohet një kuadër i ri ligjor, plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.”Na duhet të shfuqizojmë ligjin e investimeve strategjike sepse e ka përmbushur misionin e tij. Po punojmë me Komisionin Europian për një ligj të ri që respekton plotësisht standardet europiane,” deklaroi Rama.
Sa i përket ligjit për zonat e mbrojtura, kreu i qeverisë tha se ai konsiderohet një ndër ligjet më të mira të miratuara deri tani, por pranoi se disa dispozita do të ndryshohen për të qenë në përputhje të plotë me legjislacionin europian.
Projekti i Zvërnecit
I pyetur për projektin e investimit në Zvërnec dhe debatet që ai ka shkaktuar edhe në Parlamentin Europian, Rama tha se Komisioni Europian është i informuar për çdo zhvillim dhe se procedurat po ndiqen sipas rregullave.
Sipas tij, vlerësimi i ndikimit në mjedis është ende në proces dhe nuk ka arsye për shqetësim.”Gjithçka po bëhet sipas rregullave që nga dita e parë. Projekti nuk është finalizuar ende dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis vazhdon. Ambicia jonë është të realizojmë një projekt që do të jetë krenari për Shqipërinë dhe Europën, duke respektuar standardet më të larta europiane,” u shpreh kryeministri.
Mbyllja e tre kapitujve të parë konsiderohet një moment i rëndësishëm në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ndërsa vendi vijon negociatat për kapitujt e tjerë që do të përcaktojnë ritmin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Shqipëria mbyll kapitujt e parë të negociatave me BE, Marta Kos: “Super e martë” për zgjerimin















