Policia e Shtetit njofton se gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të korrikut janë arrestuar ose proceduar penalisht 29 persona, të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në zona të ndryshme të vendit.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka arrestuar në flagrancë dy persona dhe ka proceduar penalisht një tjetër, të dyshuar për tre raste zjarrvënieje në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.

Reklame

Sipas njoftimit zyrtar:

  • Kavajë, u arrestua S. Ç., 51 vjeç, pasi zjarri që ndezi në tokën e tij u përhap duke djegur kullota dhe rreth 300 pemë agrumesh dhe ullinjsh në fshatin Sterbeg.
  • Vorë, u arrestua A. D., 43 vjeç, i dyshuar se ndezi zjarr në një sipërfaqe toke, duke shkaktuar djegien e një parcele me pemë frutore në fshatin Gjokaj.
  • Mallakastër, nisi procedimi penal ndaj O. B., 39 vjeç, pasi gjatë tërheqjes së një automjeti me karrotrec u krijuan shkëndija elektrike që shkaktuan zjarr, duke djegur dhjetëra pemë arre në fshatin Romës.

Policia bën të ditur se vijojnë kontrollet dhe hetimet në terren për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve, ndërsa materialet procedurale janë referuar në prokuroritë kompetente.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve të tokave që të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave apo pastrimin e sipërfaqeve bujqësore, duke theksuar se kjo praktikë është e ndëshkueshme me ligj dhe mund të shkaktojë pasoja të rënda për mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve.

Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshuar zjarrvënieje, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.

Qeveria hap thesin pas zjarreve, 15 bashki përfitojnë mbi 345 milionë lekë

160 zjarre në vetëm dy javë, AKMC mbledh Komisionin Teknik: Çako apel qytetarëve, “Jemi në gatishmëri 24/7”

Reklame