SARANDË – Një banor i lagjes Gjashta në Sarandë ka ngritur alarmin për një situatë që sipas tij po rrezikon jetën e familjarëve dhe banorëve të zonës prej vitesh, ndërsa u bën thirrje institucioneve që të ndërhyjnë urgjentisht.

Sipas denoncimit të bërë publik, pranë banesës së tij ndodhet një shtyllë e linjës elektrike 35 kV, e cila gjendet vetëm rreth katër metra larg shtëpisë. Banori shprehet se pemët përreth kanë prekur linjën elektrike, ndërsa shtylla, sipas tij, nuk disponon tokëzim, duke e bërë situatën tepër të rrezikshme dhe mungesa e tokëzimit është pranuar edhe nga elektriçisti i zonës.

Reklame

“Kemi 27 vite që jetojmë këtu dhe çdo vit gjendja bëhet më e rëndë. Pemët kanë kapur telat e energjisë dhe kemi frikë të prekim edhe objektet përreth. Këtu jeton nëna ime, ndërsa unë jetoj prej 27 vitesh në Angli. Jemi vazhdimisht në ankth për familjarët tanë”, shprehet banori.

Ai tregon se për problemin janë njoftuar edhe punonjës të sektorit elektrik, por sipas tij deri më sot nuk është marrë asnjë masë konkrete për eliminimin e rrezikut.

Banori kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve përgjegjëse për të kontrolluar gjendjen e shtyllës, për të prerë pemët që kanë prekur linjën elektrike dhe për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për zhvendosjen ose sigurimin e saj.

“Si banor dhe taksapagues kërkoj nga institucionet shtetërore të ndërhyjnë sa më shpejt. Familjarët tanë rrezikohen çdo ditë dhe kemi vite që presim një zgjidhje, por askush nuk ka vendosur dorë mbi këtë problem”, thuhet në denoncim.

Banorët e zonës kërkojnë që institucionet përgjegjëse të verifikojnë situatën në terren dhe të ndërhyjnë për të shmangur një ngjarje të rëndë, pasi sipas tyre rreziku për jetën dhe pronën është i pranishëm në çdo moment.

Reklame