Gjatë një bisede me gazetarët, Taulant Balla foli për miratimin e raportit për Shqipërinë nga Parlamenti Europian duke thënë se lidhur me investimin në Nartë, do të kryhet vlerësimi i ndikimit në mjedis.
Kreu i grupit parlamentar socialist tha se ka pasur një keqkuptim që do të sqarohet pas 3 javësh në Strasburg pasi nuk ka park kombëtar të Vjosë-Nartës. Për Parkun Kombëtar të Vjosës, janë në fuqi të gjitha masat mbrojtëse.
Kur shkohet në seancë në PE, vjen një moment që s’mund të riformulosh, është o pro, o kundër. Atje s’bën dot amendament oral. Nga ana e raporterit hije u propozua që amendamenti 17 të votohej fjali për fjali. Ne e mbështesim, nuk themi që jam kundra. Të bëhet një studim i thelluar i ndikimit në mjedis. Moratoriumi nuk u referohet zonave të cilësuara peizazh i mbrojtur. Respekti ynë është maksimal ndaj PE. Para se të miratohej ky amendament, Rama ka thënë s’do të ketë ndërtim aty pa vlerësimin e pasojave në mjedis. Jemi në një fushatë ku e vërteta është shumë e vështirë të lexohet”, tha Balla.
Më tej, ai përmendi deklaratën e Marta Kos e cila tha se nuk finalizohet kapitulli 27 pa u mbyllur diskutimi për këtë çështje.“Marta Kos ishte shumë e qartë në ato që tha. Kjo është pjesë e një kapitulli në proces. Kos i qetësoi të gjithë shpirtrat e trazuar sepse kush ka logjikë, duhet ta duartrokiste. Të vetmit ishim ne. Ajo tha elementin thelbësor: kapitulli 27 nuk mbyllet pa u sqaruar kjo gjë. Le të presim gjithë qartësimet që do të vijnë, që në këtë moment mbyllet ky diskutim. Për të hyrë në BE ne do të bëjmë gjithçka”, tha Balla.
I pyetur për një koment edhe për largimin e Marjana Koçekut nga grupi, Balla inkurajoi hetimin për kërcënimet ndaj saj, por shtoi se pa PS, nuk do ta gëzonte mandatin e deputetes.“Për emrat, nëse edhe këtë si fakt, nuk kam njohuri, jam solidar me këdo që kërcënohet për shkak të funksionit që ka por duhet ta fusim në kullim. Hetime paraprake duhen zhvilluar, edhe vetë, me iniciativë. Unë jam bariu dhe më thoni që unë nuk kam një njoftim që një koleg të sjellë një shkresë, deri të premten kam pasur komunikim. Të mos harrojmë që ne kemi mandate përfaqësuese. Të gjithë ne, deputetët e PS, jemi këtu se na kanë votuar socialistët. Të shkojnë e ta provojnë njëherë pa grushtin dhe trëndafilin si dalin”, tha Balla.
Balla refuzoi të analizonte vendimin e deputetes.“S’bëj analizë për një deputete të re. Një deputete e re që u ftua të jetë pjesë e PS, një ditë të bukur pasi mori medalje, tha s’dua të vij më në punë”, tha Balla.
Sa për përjashtimin e saj nga grupi, ai tha se është në pritje të njoftimit zyrtar ndërsa përsëriti se s’ka pasur komunikim me Koçekun.“Njerëzit duhet të njoftojnë zyrtarisht. Ku ta di unë që s’i kanë mbyllur Facebook-un. Unë e kam marrë në telefon, s’ma ka hapur”, tha Balla.















