Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur mëngjesin e sotëm aksin Vlorë–Orikum, ku një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 në fshatin Radhimë, ku janë përfshirë në përplasje tre automjete, një “Benz”, një “BMW” dhe një “Seat”.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i automjetit “BMW”, Flamur Kabello, i cili po lëvizte në drejtim të Vlorës nga Orikumi.
Ndërkohë, pesë pasagjerë me shtetësi egjiptiane që udhëtonin në automjetin “Benz” kanë mbetur të dëmtuar lehtë dhe janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Shoferi i automjetit “Seat” ka shpëtuar pa lëndime.
Pak minuta pas përplasjes së fortë, automjetet janë përfshirë nga flakët, duke e bërë edhe më dramatike ngjarjen. Në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet e emergjencës, policia dhe forcat zjarrfikëse.
Sipas të dhënave paraprake të grupit hetimor, testet e alkoolit të kryera ndaj dy drejtuesve të mjeteve kanë rezultuar 0.000 mg/l, duke përjashtuar dyshimet për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Hetimet e para tregojnë se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga pozicionimi i gabuar në karrexhatë i automjetit “Benz”, si dhe nga shpejtësia e lëvizjes. Autoritetet po vijojnë punën për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe dinamikën e aksidentit fatal.
Ngjarja rikthen në vëmendje nevojën për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, veçanërisht gjatë sezonit turistik kur trafiku në aksin Vlorë–Orikum është ndjeshëm më i lartë.















