Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me tensione dhe përplasje verbale mes deputetëve të Partisë Socialiste dhe atyre të opozitës, me fokus protestën e zhvilluar në Zvërnec dhe reagimet politike ndaj saj.
Deputeti i PS-së, Ardit Bido, ka akuzuar opozitën se ka reaguar me vonesë për çështjen, vetëm pasi ajo mori vëmendje publike.
“Ku ishit më 30 maj? Mos kishit ndonjë drekë? Pse nuk folët atëherë? Ju të opozitës, ju të partive të vogla që nuk lini rast pa folur, ku ishit?” u shpreh Bido në Kuvend.
Ai shtoi se reagimi i opozitës erdhi vetëm pasi çështja u bë e ndjeshme në opinionin publik, duke e cilësuar këtë si sjellje politike të qëllimshme për përfitim.
“Kërkoni të fitoni pikë politike vetëm kur shihni reagimin e qytetarëve. Jeni të pabesueshëm dhe hipokritë”, deklaroi Bido.
Deklaratat e tij u kundërshtuan nga deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i cili akuzoi mazhorancën për përdorim të forcës ndaj qytetarëve në protesta ndër vite.
“Kanë 14 vite që dhunohen qytetarët nëpër protesta… Arsyeja pse folët kësaj here është se ju doli videoja dhe u përpoqët të fshini krimin tuaj”, u shpreh Balliu.
Debati mes palëve ka vijuar me tone të larta, duke reflektuar polarizimin e thellë politik në sallën e Kuvendit, ndërsa çështja e Zvërnecit mbetet në qendër të diskutimeve publike.















