Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pretencën për të pandehurit e dosjes së ndarë “Veliaj”, të cilët po gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Gjatë seancës, prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado kërkuan dënime me burg, masa alternative dhe gjoba për personat e përfshirë në dosje, si dhe për disa subjekte juridike.

Reklame

Për Elman Abulen, SPAK kërkoi 7 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohen në 4 vite e 8 muaj. Ndërsa për ish-deputeten Klotilda Bushka u kërkua gjobë prej 600 mijë lekësh, e cila zbret në 400 mijë lekë.

Për Ina Goxhajn u kërkua dënimi me 7 vite burg, i reduktuar në 4 vite e 8 muaj, me pezullim të ekzekutimit të dënimit dhe vendosje në shërbim prove për 5 vite.

Ndaj Fatmir Bektashit, për akuzën e korrupsionit, u kërkua 1 vit burg, i reduktuar në 8 muaj, me pezullim dhe kryerje të punës në interes publik. Për Fatjon Baçin u kërkua dënim me 5 vite burg, që zbret në 3 vite e 4 muaj, me pezullim dhe shërbim prove.

SPAK kërkoi gjithashtu gjobë për Flutura Xhanin në vlerën 60 mijë lekë, e reduktuar në 40 mijë lekë, ndërsa për Frosina Bollon u kërkua 1 vit burg, i reduktuar në 8 muaj, me pezullim dhe shërbim prove.

Për Adela Kondakçiun u kërkua dënim me 7 vite burg, i reduktuar në 4 vite e 8 muaj, por ajo përjashtohet nga dënimi për shkak të statusit të bashkëpunëtores së drejtësisë.

Sa i përket subjekteve juridike, SPAK kërkoi gjobë prej 18 milionë lekësh për kompaninë “Rametal”, 800 mijë lekë për “Kontakt” shpk dhe 500 mijë lekë për organizatën “Frobolus”, me ulje të masës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Gjatë seancës, Elman Abule kundërshtoi kompetencën e GJKKO-së për çështjen e tij dhe kërkoi shtyrjen e seancës. Ai deklaroi se nuk ka përfituar asnjë tender publik dhe se marrëdhëniet e tij kanë qenë vetëm biznesore.

Procesi pritet të vijojë me mbrojtjen e të pandehurve, përpara se gjykata të tërhiqet për vendim.

Reklame