“Nuk do të ketë asnjë tolerim për ‘trimat’ që rrezikojnë jetën e pushuesve në plazhe.”
Ky është mesazhi i ministrit Besfor Lamallari pas një rasti të regjistruar në Dhërmi, ku një person ka shkelur perimetrin e sigurisë me mjet lundrues, duke rrezikuar pushuesit në bregdet.
Sipas njoftimit, drejtuesi i mjetit është ndëshkuar me gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra, ndërsa autoritetet paralajmërojnë masa të forta ndaj çdo shkeljeje që cenon sigurinë në zonat turistike.
Policia bëri të ditur se Njësia e Posaçme Detare e Policia e Shtetit do të jetë çdo ditë në monitorim të vijës bregdetare, nga Velipojë deri në Ksamil, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe ruajtjen e rendit në plazhe gjatë sezonit turistik.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve lundruese të respektojnë rregullat e sigurisë, duke paralajmëruar kontrolle të shtuara në të gjithë bregdetin shqiptar.














