Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar pas miratimit me konsensus të ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendi i Shqipërisë, duke e cilësuar këtë zhvillim si “një hap pozitiv për dialogun politik dhe funksionimin e demokracisë parlamentare”.
Në reagimin zyrtar, OSBE thekson se ndryshimet e miratuara pasqyrojnë një vendim të Gjykata Kushtetuese, forcojnë reciprocitetin mes shumicës dhe opozitës, si dhe zgjerojnë hapësirat për një pjesëmarrje më aktive të të gjitha forcave politike në parlament.
“Ndryshimet pasqyrojnë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, forcojnë reciprocitetin midis shumicës dhe opozitës dhe zgjerojnë hapësirën për një pjesëmarrje më aktive të të gjitha forcave në parlament. Zbatimi i duhur i Rregullores do të jetë thelbësor për të siguruar një praktikë parlamentare gjithëpërfshirëse dhe efektive dhe për të mbështetur përparimin e mëtejshëm në prioritetet e reformave të Shqipërisë”, thuhet në reagim.
Kuvendi miratoi me 100 vota pro ndryshimet në rregullore, pas dakordësisë mes Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.
Mes ndryshimeve kryesore është vendimi që seancat plenare të mos zgjasin më pas orës 22:00. Në rast se debatet nuk përfundojnë, seanca do të ndërpritet dhe do të vijojë ditën tjetër.
Mazhoranca hoqi dorë edhe nga disa propozime të debatueshme, si shqyrtimi i përshpejtuar i projektligjeve të lidhura me integrimin europian dhe përgjysmimi i kohës së diskutimeve për deputetët.
Rregullorja e re parashikon gjithashtu forcim të kontrollit parlamentar, duke detyruar institucionet t’u përgjigjen kërkesave për informacion të deputetëve dhe komisionet parlamentare të zhvillojnë seanca dëgjimore kur kërkohet nga opozita.
Sipas ndryshimeve të miratuara, në sallën plenare do të raportojnë vetëm disa institucione kushtetuese dhe të pavarura.















