Ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka është paraqitur këtë të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa vijon të jetë nën hetim në dosjen voluminoze të SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, biznesmenëve dhe personave të tjerë të përfshirë në hetim.
Bushka u pa duke hyrë në ambientet e SPAK, ndërsa emri i saj është përfshirë në hetimet që lidhen me dyshimet për pengim të drejtësisë dhe intimidim të dëshmitarëve në çështjen ndaj Veliajt.
Sipas dosjes hetimore, SPAK dyshon se ish-deputetja ka ndërhyrë tek persona të thirrur për të dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme.
Një nga episodet e përmendura nga organi i akuzës lidhet me Ina Goxhaj, e cila ishte thirrur për t’u marrë në pyetje nga SPAK.
Sipas prokurorëve, Bushka dyshohet se e ka kontaktuar Goxhajn dhe e ka thirrur në banesën e prindërve të saj, ku i është kërkuar të mohonte informacionet gjatë dëshmisë para hetuesve.
Pak muaj më parë, Bushka i kërkoi GJKKO ndarjen e dosjes së saj nga pjesa tjetër e hetimit, me argumentin se nuk ushtron më funksion publik si deputete apo zyrtare e lartë dhe për këtë arsye çështja ndaj saj duhet të kalojë për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës.
Megjithatë, SPAK vijon hetimet në kuadër të dosjes së përbashkët që përfshin akuzat ndaj Veliajt dhe personave të tjerë të konsideruar si të lidhur me këtë çështje.
Hetimet ndaj Bushkës u bënë publike gjatë vitit 2025, kur SPAK zgjeroi verifikimet për personat që dyshohet se kanë tentuar të ndikojnë dëshmitarë apo të pengojnë procesin hetimor në çështjen që ka tronditur politikën dhe administratën vendore.















