Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, për veprën penale të korrupsionit pasiv.

Sipas vendimit të GJKKO-së, Islamaj është dënuar me 2 vite e 1 muaj burg, por dënimi është pezulluar dhe konvertuar në 2 vite shërbim prove, me kusht që të mos kryejë tjetër vepër penale gjatë kësaj periudhe.

Reklame

Po ashtu, gjykata ka vendosur që ish-zyrtarja të mos ushtrojë funksione publike për 5 vite.

Në të njëjtën dosje, është dënuar edhe ndërtuesi Rrok Gega, i cili u shpall fajtor për korrupsion aktiv. GJKKO i dha atij 6 muaj burg, dënim i pezulluar me 1 vit shërbim prove.

Akuza: Urë pranë shtëpisë së motrës

Sipas hetimeve të SPAK, Zyra Islamaj dyshohet se kishte kërkuar nga ndërtuesi Gega ndërtimin e një ure pranë banesës së motrës së saj në fshatin Luzhë, ndonëse kjo vepër nuk ishte pjesë e projektit fillestar.

Prokuroria pretendon se ajo kishte përdorur ndikimin si kryetare e komanduar e bashkisë për të favorizuar interesat familjare, duke ndërhyrë edhe te tekniku i mirëmbajtjes së rrugëve në bashki.

Si nisi dosja

Hetimet nisën pas ndërtimit të urës në fshatin Luzhë, ku sipas SPAK u përdorën fondet e bashkisë për interesa private.

Tenderi ishte zhvilluar nga Bashkia Tropojë dhe ishte fituar nga ndërtuesi Rrok Gega.

Çështja u denoncua publikisht në dhjetor të vitit 2024 nga Partia Demokratike, përmes zëdhënëses për Antikorrupsionin, Genta Vangjeli, e cila akuzoi Islamajn se kishte kërkuar ndërtimin e një “ure të personalizuar” mbi përroin pranë banesës së motrës së saj.

U komandua pas arrestimit të Rexhë Byberit

Zyra Islamaj mori drejtimin e Bashkisë Tropojë në shtator 2024, pas arrestimit të ish-kryebashkiakut Rexhë Byberi.

Byberi u vu nën akuzë për “shpërdorim detyre”, ndërsa sipas organit të akuzës dyshohet për një dëm ekonomik prej 2.7 miliardë lekësh të vjetra ndaj buxhetit të shtetit.

Reklame