Një 26-vjeçar shqiptar është dënuar nga Gjykata e Urbinos me 5 vjet e 5 muaj burg, si dhe me një gjobë prej 20,733 eurosh, për trafik droge në zonën e Fossombrone dhe qytete të tjera përreth.

Sipas mediave italiane, i riu kishte mbërritur fillimisht në Itali si student me bursë, por më pas dyshohet se u përfshi në trafikun e kokainës dhe marijuanës.

Reklame

Dënimi u dha më 12 maj, në kuadër të fazave të Operacioni “Bunker”, një hetim i nisur nga karabinierët për zbardhjen e rasteve të kërcënimeve ndaj pronarit të një biznesi në zonën industriale të Fossombrones.

Gjatë hetimeve, autoritetet zbuluan një rrjet të gjerë trafiku droge që shtrihej në disa qytete, përfshirë Pesaro, Fano dhe Bellaria Igea Marina.

Sipas prokurorisë, 26-vjeçari shqiptar siguronte kokainë dhe marijuanë përmes kontakteve me persona të tjerë me origjinë shqiptare dhe kishte ndërtuar një rrjet klientësh të qëndrueshëm.

Hetuesit identifikuan 25 klientë dhe dokumentuan rreth 50 raste furnizimi me drogë, që përfshinin të paktën 110 gramë kokainë dhe 40 gramë marijuanë.

Më 6 tetor 2018, ai u arrestua në flagrancë së bashku me një bashkëpunëtor, ndërsa policia sekuestroi 21 doza kokaine, 3,450 euro cash dhe materiale për paketimin e drogës.

Operacioni çoi në arrestimin e 14 personave, ndërsa gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 200 gramë kokainë, 100 gramë marijuanë dhe 7,000 euro të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Reklame