Një 32-vjeçar shqiptar është vënë në pranga në Itali, i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike, pasi autoritetet zbuluan mbi një kilogram kokainë të fshehur në banesën e tij pranë Xhenovës.

Sipas mediave italiane, operacioni u zhvillua një ditë më parë nga karabinierët, të cilët ndaluan të riun për kontroll. Sjellja e tij nervoze dhe tentativa për t’iu shmangur verifikimeve ngritën dyshime te efektivët, të cilët kryen një kontroll më të imtësishëm.

Reklame

Gjatë kontrollit fizik, policia gjeti rreth 6 gramë kokainë, ndërsa më pas kontrolli në banesën e 32-vjeçarit çoi në zbulimin e 1.2 kilogramëve kokainë të fshehura brenda një jastëku në dhomën e gjumit.

Autoritetet sekuestruan gjithashtu 1,200 euro cash, dy peshore precize dhe materiale që dyshohet se përdoreshin për paketimin e dozave të drogës.

Pas përfundimit të procedurave, shqiptari u arrestua dhe u dërgua në burgun Marassi të Xhenovës, ku pritet të dalë para gjykatës për seancën dëgjimore.

Reklame