Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kaluar në qarkun e Lezhës, ku ish-kryetari i Partisë Demokratike në njësinë administrative të Dajçit në Zadrimë, Sokol Toma, është dhunuar brutalisht nga persona ende të paidentifikuar.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në autostradën Mamurras-Laç, në zonën e Sanxhakut. 53-vjeçari dyshohet se është sulmuar me sende të forta, duke pësuar dëmtime të rënda në trup.

Reklame

Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se agresorët i kanë thyer të dyja këmbët dhe i kanë prerë njërin vesh Tomës. Ai është transportuar me urgjencë drejt Tiranës, ku po merr trajtim më të specializuar në repartin e ortopedisë.

Mësohet gjithashtu se autorët i kanë marrë edhe telefonin celular pas dhunës së ushtruar ndaj tij.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri më tani nuk dihen motivet e sulmit brutal ndaj ish-zyrtarit të PD-së.

Grupi hetimor po verifikon kamerat e sigurisë në zonë dhe po merr në pyetje persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

Reklame