Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Jashtëm, duke e akuzuar atë për fyerje ndaj shqiptarëve dhe për “mashtrim të hapur” lidhur me raportin IBAR.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se ministri ka paraqitur në Komisionin e Jashtëm një informacion të pasaktë, duke pretenduar se raporti nuk është votuar, ndërsa sipas tij realiteti është ndryshe.
“Për herë të parë u paraqit dje në Komisionin e Jashtëm ministri për të mashtruar shqiptarët për IBAR-in… shkoi me një gjuhë të korruptuar, të turpshme,” deklaroi Berisha.
Ai tha se në procesin e integrimit europian janë shtuar kushtet ndaj Shqipërisë dhe se qeveria po e mban procesin të mbyllur dhe jo transparent për publikun.
Berisha gjithashtu kritikoi mënyrën e menaxhimit të reformave dhe funksionimit të Parlamentit, duke theksuar se opozita do të marrë pjesë në proceset e reformës zgjedhore dhe territoriale, por sipas tij këto duhet të zhvillohen me konsensus.
Duke iu referuar debatit për raportin IBAR, ai pretendoi se ka pasur kundërshtime nga disa shtete anëtare dhe ndryshime në dokument, ndërsa akuzoi qeverinë për mungesë transparence.
Në fund të deklaratës, Berisha përsëriti thirrjen që Ministri i Jashtëm të japë dorëheqjen, duke e quajtur atë “arrogant” dhe duke e akuzuar për mungesë kërkim-faljeje pas deklaratave të tij publike.















