Gjykata e Posaçme ka dënuar ish-kryetarin e Bashkisë së Finiq, Leonidha Hristo, me 4 vite burg për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe rrethanave lehtësuese, dënimi përfundimtar i tij është ulur në 2 vite heqje lirie.

Reklame

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), gjatë periudhës 2017–2019 janë kryer disa procedura prokurimi në mënyrë fiktive dhe në shkelje të ligjit. Në këto procedura dyshohet se janë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë të bashkisë.

Hetimet kanë zbuluar se përgatitja e dokumenteve të tenderave dhe vlerësimi i ofertave nuk është kryer nga strukturat përkatëse të bashkisë, por nga persona të tretë të paautorizuar, të cilët kanë ndërhyrë në procesin e prokurimeve.

Gjithashtu, ish-kryebashkiaku dyshohet se ka deleguar firmosjen e dokumenteve te persona të tjerë, ndërkohë që ato ishin përgatitur paraprakisht në mënyrë të parregullt nga zyrtarë të bashkisë.

Për disa nga të bashkëpandehurit, çështja është veçuar dhe është dërguar për hetim të mëtejshëm në Prokurorinë e Sarandës, ndërsa procedurat vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.

Reklame