Dokumente të reja të bëra publike nga mbrojtja e Ilir Meta hedhin dritë mbi atë që cilësohet si një skemë e organizuar për të fabrikuar akuza në aferën CEZ-DIA.
Sipas materialeve të depozituara në dosjen gjyqësore, rezulton se mes Kastriot Ismailaj, Elvis Mataj dhe Romeo Kara kanë ekzistuar marrëdhënie financiare dhe ndërmjetësime të dyshimta.
Në një nga dokumentet kyçe, pretendohet se është kërkuar një shumë prej 50 mijë euro për të dhënë dëshmi në favor të kompanisë DIA, ndërsa përmenden edhe shifra shumë më të larta, deri në 500 mijë euro, të lidhura me palë të tjera.
Avokati Kujtim Cakrani deklaroi se këto prova tregojnë qartë se kallëzimi ndaj Metës është i rremë dhe i ndërtuar mbi ndërhyrje dhe interesa financiare. Sipas tij, Romeo Kara ka luajtur rolin e sekserit, duke ndërmjetësuar mes palëve për të implikuar politikisht ish-Presidentin.
Në dokumente përshkruhen edhe episode konkrete, ku sipas dëshmive, janë kërkuar pagesa për deklarime të caktuara, si dhe janë përmendur kontakte dhe udhëtime jashtë vendit në funksion të procesit të arbitrazhit në Vjenë.
Mbrojtja thekson se këto zhvillime tregojnë një përpjekje të qëllimshme për diskreditimin e Metës, duke ngritur akuza që, sipas tyre, nuk mbështeten në fakte reale.
Po ashtu, avokati Cakrani rikujtoi se çështja është trajtuar më herët nga organet e drejtësisë dhe është mbyllur, ndërsa theksoi se bëhet fjalë për një përdorim të qëllimshëm të dëshmive të manipuluara. Publikimi i këtyre dokumenteve pritet të rikthejë në qendër të debatit publik aferën CEZ-DIA, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të reagojnë institucionet e drejtësisë ndaj këtyre pretendimeve të reja.
















