Qeveria e re u mblodh këtë të premte në Kryeministri nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, duke shënuar zyrtarisht nisjen e detyrës për zëvendëskryeministren dhe gjashtë ministrat e rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.

Pak orë më parë, në ceremoninë e zhvilluar në Pallati i Brigadave, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe gjashtë ministrat e rinj u betuan me dorën mbi Kushtetutë për përmbushjen e detyrës që marrin përsipër në kabinetin qeveritar.

Reklame

Pas ceremonisë, anëtarët e rinj të qeverisë iu drejtuan Kryeministrisë, ku u zhvillua edhe mbledhja e parë e kabinetit me përbërjen e re.

Kush janë anëtarët e rinj të qeverisë:

Me ndryshimet e fundit në kabinet, zyrtarisht nisën detyrën:

Albana Koçiu – Zëvendëskryeministre

Besfort Lamallari – Ministër i Brendshëm

Toni Gogu – Ministër i Drejtësisë

Ferit Hoxha – Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme

Enea Karakaçi – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë

Ermal Nufi – Ministër i Mbrojtjes

Erjona Ismaili – Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin

Katër prej tyre i bashkohen për herë të parë kabinetit qeveritar.

Momenti i veçantë: ministrja mbërrin me taksi

Një moment ndryshe gjatë ceremonisë së betimit ishte mbërritja e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, e cila u pa duke ardhur në Pallati i Brigadave me taksi, ndërsa transmetimet televizive ishin në direkt.

Pamja u komentua menjëherë në media dhe rrjete sociale, duke u kthyer në një nga episodet më të veçanta të ceremonisë së betimit.

Pas marrjes së detyrës, ministri i ri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi në rrjetet sociale duke theksuar se prioritet do të jetë forcimi i rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Me përkushtim, përgjegjësi dhe besim në potencialin e vendit tonë, të udhëhequr nga parimi themelor – interesi ynë kombëtar – do të punojmë që Shqipëria të jetë gjithnjë e më e respektuar dhe më e dëgjuar në hapësirën euroatlantike dhe në arenën globale”, u shpreh ai.

Edhe ministri i ri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, reagoi duke e cilësuar detyrën një përgjegjësi të madhe në shërbim të sigurisë kombëtare dhe interesave të Republikës.

Ristrukturimi i qeverisë solli edhe largimin e disa figurave të rëndësishme nga kabineti.

Nga qeveria dolën:

Belinda Balluku

Elisa Spiropali

Pirro Vengu

Ndryshimet në kabinet u propozuan nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë më 26 shkurt.

“Sot në tryezën e qeverisë së re”, shkroi Rama në rrjetet sociale, teksa publikoi pamje nga mbledhja e parë e kabinetit me përbërjen e re.

Reklame