Komisioni Europian ka reaguar për propozimin e Edi Rama për ndryshimin e Kodit Penal, i cili synon të heqë të drejtën e gjykatave për të marrë vendime pezullimi ndaj kryeministrit, ministrave, Presidentit, Avokatit të Popullit dhe kreut të KLSH-së.
Në reagimin e tij, BE thekson se çdo nismë ligjore që lidhet me gjyqësorin monitorohet me kujdes, veçanërisht në vendet kandidate si Shqipëria. Komisioni Europian vuri në dukje se:“Retorika që mbjell mosbesim publik ndaj gjyqësorit dhe ndaj pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit të sistemit gjyqësor dhe atij të prokurorisë është joproduktive.”
Sipas KE, çdo ndryshim ligjor duhet të jetë në përputhje me standardet europiane dhe me acquis të BE-së, duke respektuar reformën në drejtësi të vitit 2016, pjesë e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Komisioni Europian thekson se sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, llogaridhënia dhe efikasiteti i sistemit gjyqësor janë thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.
BE i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij dhe paralajmëron se retorika që ul besimin publik tek gjyqësori mund të ketë pasoja negative për procesin e integrimit europian.
Ky reagim vjen në një moment kur debate intensive po zhvillohen për rolin dhe imunitetin e zyrtarëve të lartë në Shqipëri, duke nxitur shqetësime për pavarësinë e gjyqësorit dhe besueshmërinë e reformës në drejtësi.






