Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku më 19 shkurt në Uashington do të përfaqësojë Shqipërinë në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, organizatë e ideuar dhe drejtuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Shqipëria merr pjesë si vend anëtar themelues në këtë strukturë të re ndërkombëtare, që synon koordinimin e përpjekjeve për stabilitet dhe paqe në zona konflikti.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në përmbyllje të Ministerialit të Tiranës për Korridorin VIII, sqaroi se në këtë fazë Shqipëria nuk ka asnjë detyrim financiar ndaj Bordit të Paqes.
Ajo theksoi se nisma nuk është një projekt alternativ ndaj Bashkimi Europian, i cili mbetet prioriteti strategjik i vendit, por një mekanizëm komplementar ku Shqipëria mund të japë kontributin e saj.
Sipas Spiropalit, Shqipëria është angazhuar të përfshihet në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë, që pritet të zyrtarizohet në kuadër të planit me 20 pika të presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës dhe për rindërtimin e territorit palestinez.
Shqipëria u bë pjesë e Bordit të Paqes me ftesë të drejtpërdrejtë nga Trump dhe përfshirja në këtë nismë u ratifikua me konsensus politik në Kuvend.
Megjithatë, përfaqësimi i vendit nga kryeministri Rama është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi rolin dhe mënyrën e përzgjedhjes së tij si përfaqësues i Shqipërisë në këtë forum.
Takimi i 19 shkurtit në Uashington pritet të qartësojë më tej strukturën, funksionimin dhe angazhimet konkrete të Bordit të Paqes, si dhe rolin që do të ketë Shqipëria në këtë organizatë të re ndërkombëtare.















