Mario Çela, vëllai i Suel Çelës, kreut të organizatës kriminale të Elbasanit që u godit nga SPAK, do të ekstradohet mbrëmjen e sotme nga Belgjika në vendin tonë.
Ai u arrestua në nëntor 2024 në kuadër të operacionit të SPAK, ku u lëshuan 21 urdhër-arreste, përfshirë edhe atë të Mario Çelës. Sipas SPAK, ai ishte përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale të organizatës, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, veprime korruptive dhe skema të pastrimit të parave.
Hetimet e SPAK kanë dokumentuar tentativa për trafikimin e sasisë së madhe të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës: rreth 930 kg kokainë nga Ekuadori në Europë në dhjetor 2020 dhe 466 kg kokainë nga Ekuadori drejt Holandës në janar 2021.
Mario Çela do t’i nënshtrohet hetimeve në Shqipëri si pjesë e operacionit kundër organizatës kriminale të Suel Çelës.















