Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e pezullimit të zv/kryeministres Belinda Balluku, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për presion brutal mbi drejtësinë dhe përpjekje të hapur për grusht shteti institucional.
Sipas Berishës, votimi 4 me 4 në Gjykatën Kushtetuese përbën një akt të paprecedentë dhe një dëshmi flagrante të paralizimit të këtij institucioni nga pushteti ekzekutiv. Ai tha se, ndonëse Balluku mbeti e pezulluar, në realitet “Gjykata Kushtetuese pezulloi vetveten”, duke vepruar nën diktatin e drejtpërdrejtë të kryeministrit.
Berisha theksoi se një situatë e tillë, sipas çdo probabiliteti juridik dhe institucional, mund të ndodhë një herë në 500 raste, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, po ndodh “një në dy herë”, çka tregon shkallën alarmante të kapjes së drejtësisë.
Ai akuzoi Ramën se ka kërcënuar në mënyrën më të paskrupullt prokurorinë dhe gjykatat, duke u zotuar publikisht se do të mbrojë deri në fund veten dhe Belinda Ballukun, pavarësisht shkeljeve ligjore dhe kushtetuese.
Sipas Berishës, Rama është thirrur sot në Bruksel, ku – sipas raportimeve mediatike – pritet t’i komunikohet qëndrimi i prerë i Bashkimit Europian ndaj veprimeve të tij antikushtetuese dhe antidemokratike. Ai e cilësoi këtë udhëtim si një përpjekje të dëshpëruar për të justifikuar përpara BE-së atë që ai e quajti “grusht shteti i vazhdueshëm”.
“Rama shkon në Bruksel me fustanin e Lubi Ballukut, si avokat i turpshëm i saj, por në thelb për të shpëtuar veten”, deklaroi Berisha, duke shtuar se në kryeqytetet europiane tashmë është kuptuar qartë se kush është përgjegjësi real i aferave korruptive.
Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi Ramën si autor direkt të aferave që lidhen me Ballukun dhe AKSHI-n, duke pretenduar se përmes strukturave të dominuara nga familjarë të tij janë vjedhur qindra milionë euro dhe janë urdhëruar akte kriminale të rënda.
Deklaratat e Berishës shtojnë edhe më tej tensionin politik, ndërsa përplasja mes qeverisë, opozitës dhe institucioneve të drejtësisë hyn në një fazë të re përballjeje të hapur.






