Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) ka publikuar një raport kritik mbi arrestimin e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke nxjerrë në pah mangësi serioze proceduriale dhe sjellje të papranueshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Ilir Prodës.

Sipas IFIMES, gjatë arrestimit të Metës janë konstatuar probleme të rëndësishme: mungesa e informimit të menjëhershëm mbi arsyet e ndalimit, kufizime në të drejtën për të pasur akses tek një avokat, mosdhënia e kartës së të drejtave dhe dokumentacion joadekuat i procesit. Raporti vlerëson se këto shkelje nënvizojnë dobësitë sistemike të policisë në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut.

Reklame

“Çështja kryesore nuk është ekzistenca e vendimit gjyqësor, por mënyra e zbatimit të tij. Sundimi i ligjit nuk matet nga forca e represionit, por nga respekti për procedurat, dinjitetin njerëzor dhe parimet e prezumimit të pafajësisë,” thekson raporti.

IFIMES kërkon vendosjen e një monitorimi ndërkombëtar të rastit të Ilir Metës për të siguruar respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut, transparencën dhe mbrojtjen e lirive themelore, duke dërguar një “shuplakë” të fortë drejt drejtuesve të policisë dhe institucioneve përgjegjëse.

Raporti i institutit ndërkombëtar vjen si një paralajmërim i qartë për nevojën e profesionalizmit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit, në një periudhë ku presioni politik rrit rrezikun për cenimin e standardeve demokratike në Shqipëri.

Reklame