Udhëheqësja e opozitës iraniane, Maryam Rajavi, presidente e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), thotë se kryengritja e fundit në Iran ka dëshmuar se populli iranian është i vendosur që të përmbysë regjimin dhe të ndërtojë një republikë demokratike dhe laike.
Në një reagim të sajin, Rajavi thekson se pyetja kryesore sot nuk është më nëse regjimi do të bjerë, por kur do të ndodhë kjo dhe çfarë do ta pasojë rënien e tij. Sipas saj, pakënaqësia në popullatë është e thellë dhe krimet e regjimit e kanë bërë situatën edhe më shpërthyese.
Rajavi nënvizon se ndryshimi i regjimit nuk mund të vijë as nga presioni i jashtëm dhe as nga ndërhyrja ushtarake e huaj, por vetëm nga vetë populli iranian përmes një rezistence të organizuar dhe mbarëkombëtare.
“Përvojat e fundit tregojnë qartë se sistemi i klerikëve në pushtet i ‘velayat-e faqih’ është bërë thellësisht i gërryer, i zbrazët dhe i prekshëm. Në të njëjtën kohë, ai ka nxjerrë në pah një realitet themelor: dobësimi i regjimit nuk do të çojë automatikisht në rënien e tij. Në mënyrë të ngjashme, teokracia sunduese nuk do të shembet nën presionin e jashtëm dhe as nuk do të përmbyset përmes luftës së huaj. Ndryshimi i regjimit mund të arrihet vetëm nga vetë populli iranian, përmes një rezistence të organizuar, mbarëkombëtare dhe të gatshme për luftë, e aftë të përballet në terren me një nga aparatet më brutale represive në botë sot: Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Ky është pikërisht misioni për të cilin Muxhahedinët-e Khalq (MEK) janë përkushtuar gjatë 45 viteve të fundit, veçanërisht viteve të fundit.”, thotë ajo në opinion.
Ajo thekson se Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) është përgatitur për periudhën kalimtare pas përmbysjes së regjimit të Ali Khameneit, për formimin e një qeverie të përkohshme dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kushtetuta e re, sipas këtij plani, do t’i nënshtrohej një referendumi kombëtar.
“Sipas planeve të këshillit, menjëherë pas përmbysjes, do të formohet një qeveri e përkohshme me një mandat të kufizuar, transparent dhe të përcaktuar në kohë për të organizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe universale për një Asamble Kushtetuese brenda gjashtë muajve më së shumti. Me formimin e kësaj asambleje, mandati i së cilës nuk do të kalojë dy vjet, i gjithë autoriteti politik do t’u transferohet përfaqësuesve të zgjedhur të popullit për të krijuar një qeveri të përkohshme dhe për të hartuar kushtetutën e Republikës së re të Iranit, e cila më pas do t’i nënshtrohet një referendumi kombëtar. Ky udhërrëfyes nuk është një retorikë abstrakte; është produkt i dekadave të punës intelektuale, ligjore dhe praktike.”, thotë Rajavi.
Sipas saj, në planin 10 pikësh të këtij Këshilli, përcaktohen parimet themelore për një Iran të lirë, duke filluar nga barazia gjinore, heqja e dënimit me vdekje, pavarësia e gjyqësorit si dhe çështja bërthamore.
“Parimet themelore të një Irani të ardhshëm – barazia e plotë gjinore, ndarja e fesë nga shteti, heqja e dënimit me vdekje, pavarësia e gjyqësorit, liria e partive dhe e medias, njohja e të drejtave të kombësive të Iranit dhe një Iran jo-bërthamor që kërkon paqen – janë artikuluar në Planin Dhjetë Pikash të Këshillit për një Iran të Lirë dhe i janë paraqitur popullit iranian dhe bashkësisë ndërkombëtare”, shton ajo.
Në fund, Pajavi i bën thirrje SHBA që të shmangë ndërhyrjen ushtarake, por të rrisë presionin ligjor dhe politik ndaj regjimit, përfshirë sanksionimin e Gardës Revolucionare dhe ndjekjen penale të drejtuesve të saj për krime kundër njerëzimit.
“Për sa kohë që ky regjim mbetet në pushtet, ai nuk do të heqë dorë kurrë nga represioni, as nuk do t’i nënshtrohet reformës apo bindjes. Çlirimi mund të vijë vetëm përmes një kryengritjeje dhe rezistence të organizuar. Ndërkohë që duhet të shmangë ndërhyrjen ushtarake, bashkësia ndërkombëtare ka si kapacitetin ashtu edhe përgjegjësinë për të rritur koston e mungesës së ligjit për regjimin. Kjo përfshin futjen në listën e zezë të IRGC-së, heqjen e imunitetit të udhëheqësve të saj dhe ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid sipas juridiksionit universal”, thekson Rajavi.

Reklame