PKK Rinas ka proceduar penalisht një shtetase kineze, e cila tentoi të dilte nga Republika e Shqipërisë me një shumë të konsiderueshme parash, pa i deklaruar sipas legjislacionit në fuqi.

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje dhe dalje të vendit, me qëllim parandalimin dhe konstatimin e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në bashkëpunim me autoritetet doganore, kanë evidentuar një tjetër rast të mosdeklarimit të shumave monetare.

Reklame

Gjatë kontrollit në vijën e dytë, shtetases A. W., 45 vjeçe, me shtetësi kineze, iu gjetën 61 755 euro dhe 10 000 dollarë amerikanë, të cilat ajo synonte t’i nxirrte jashtë territorit të Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin.

Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, e cila ka nisur procedimin penal ndaj 45-vjeçares në gjendje të lirë, për veprime të mëtejshme ligjore.

Reklame