Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur pranë Komisariatit të Policisë nr.3 në Tiranë, ku një punonjëse policie është dhunuar fizikisht.
Sipas informacioneve, dy të arrestuarat janë motra me njëra-tjetrën, ndërsa konflikti mes tyre dhe efektives ka nisur për një arsye krejt banale. Agjentja e krimeve ka qenë e veshur civil, pa uniformë, dhe po kalonte rrugën për t’u futur në komisariat, në momentin që motrat po lëviznin me automjet.
Raportohet se motrat kanë nisur ta ofendojnë efektiven, duke i kërkuar llogari pse nuk shihte kur ato po kalonin me makinë. Pas këtij momenti, ato kanë ndaluar automjetin dhe i kanë “zënë pritë” polices pak metra para hyrjes së komisariatit.
Efektivja i ka paralajmëruar se ishte punonjëse policie dhe u ka kërkuar të ndalonin, por duket se deklarata e saj nuk është besuar.
“O qorre nuk sheh ti kur kalojmë ne? Kë gënjen ti?”, mësohet se i janë drejtuar motrat agjentes së krimeve.
Fillimisht konflikti ka qenë verbal, por më pas ka degraduar në dhunë fizike ndaj efektives. Situata është neutralizuar vetëm pas ndërhyrjes së punonjësve të Komisariatit nr.3, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë duke vënë në pranga dy motrat.
Ngjarja po hetohet nga autoritetet, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.















