Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se votimi me procedurë të përshpejtuar për Bordin e Paqes përbën, sipas tij, një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe një përpjekje të kryeministrit Edi Rama për të mbuluar atë që ai e cilëson si “grusht shteti”.

Në një prononcim publik, Berisha u shpreh se procedura e përshpejtuar është mënyra më flagrante e shkeljes së normave kushtetuese, duke theksuar se Kushtetuta përcakton qartë afatet dhe nuk lejon zhvillimin e saj më herët se një javë nga iniciativa.

Reklame

Sipas kreut të opozitës, kjo lëvizje u përdor nga kryeministri për të zhurmuar dhe larguar vëmendjen nga seanca në Gjykatën Kushtetuese lidhur me Belinda Ballukun. Berisha akuzoi qeverinë se po ndërhyn për të shtyrë proceset dhe për të zhvlerësuar kërkesat e Prokurorisë së Posaçme për masa ndaj saj.

Ai shtoi se, sipas tij, në dosjet dhe dëshmitë e përmendura ka referenca që lidhen drejtpërdrejt me kryeministrin, duke e cilësuar gjithë situatën si një përpjekje për të zgjatur jetën politike të qeverisë aktuale.

Në përfundim, Berisha deklaroi se qytetarët do të reagojnë përmes protestës së paralajmëruar, duke theksuar se beson se ata do t’i japin, sipas tij, “përgjigjen e merituar” qeverisë.

Reklame