Është shtyrë edhe një herë seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj Leonard Dukës, i akuzuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019.

Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e njërit prej anëtarëve të trupës gjykuese, gjyqtarit Gerd Hoxha, çka ka bërë të pamundur zhvillimin normal të procesit.

Reklame

Në seancën e sotme ishte parashikuar që mbrojtja e Leonard Dukës të paraqiste konkluzionet përfundimtare, një fazë kyçe për mbylljen e procesit gjyqësor. Megjithatë, për shkak të mungesës së gjyqtarit, seanca nuk u zhvillua.

Trupa gjykuese vendosi që seanca e radhës të mbahet ditën e hënë, në orën 10:00.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin me 32 vite burg për Leonard Dukën, duke e konsideruar atë si organizator të vrasjes së ish-policit Santiago Malko, një prej ngjarjeve më të rënda kriminale të viteve të fundit. Procesi ndaj tij është shoqëruar me shtyrje të përsëritura, duke tërhequr vëmendjen e opinionit publik.

Reklame