Teksa prej 12 vitesh drejton Shqipërinë, kryeministri Edi Rama ka pranuar publikisht se Ministria e Punëve të Jashtme është një dështim i madh i qeverisjes së tij. Deklarata e fortë u bë gjatë një fjalimi të gjatë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku Rama kritikoi ashpër funksionimin e diplomacisë shqiptare.
Sipas kryeministrit, Ministria e Jashtme nuk është në funksion të sfidave aktuale të vendit, pasi nuk ka kaluar kurrë një reformë të vërtetë. Ai theksoi se ndërhyrjet ligjore të bëra ndër vite nuk kanë prodhuar ndryshime reale, por kanë qenë thjesht sipërfaqësore.
“Ministria e Jashtme është si Televizioni Publik Shqiptar. Është një tjetër dështim i madh i yni. Nuk është një institucion në funksion të këtyre sfidave sepse nuk është reformuar asnjëherë”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë pranoi se edhe ligji i miratuar për diplomacinë nuk përbënte reformë, por vetëm “makiazh”, duke e krahasuar me një rregullim kozmetik që nuk prek thelbin e problemit.
“Edhe një ligj që e bëmë nuk ishte ligj apo reformë, ishte tualet. Makijazh! Ligji duhet të hapë rrugën për reformë, për të futur ajrin e pastër”, u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, kryeministri vuri theksin edhe te roli i diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë si një pjesë të rëndësishme të elektoratit dhe një potencial të pashfrytëzuar nga diplomacia shqiptare.
“Shqipëria ka sot njerëz plot jashtë në diasporë. Diaspora është pjesë e elektoratit të rëndësishëm”, tha ai.
Rama nuk kurseu ironinë ndaj funksionimit të brendshëm të Ministrisë së Jashtme, duke lënë të kuptohet për një institucion të zbrazët dhe jofunksional.
“Gradat janë marrë peng nga spikerat e politikës së jashtme të televizionit, as televizion nuk është se ata as nuk dalin. Sa herë shkoj në atë ministri, më duket sikur atje është vetëm ministri, sekretarja dhe roja”, përfundoi kryeministri.
Deklaratat e Ramës pritet të hapin debat të fortë mbi gjendjen e diplomacisë shqiptare, përgjegjësinë politike për 12 vite qeverisje dhe nevojën për një reformë të thellë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.















