Kryeministri Edi Rama ka hedhur një deklaratë të fortë që ka shkaktuar reagime dhe shqetësim në opinionin publik, duke paralajmëruar mbylljen e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) për një afat të pacaktuar, deri në realizimin e asaj që ai e quan një reformim total të institucionit.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se përpjekjet për reformimin e televizionit publik kanë dështuar ndër vite dhe se RTSH, sipas tij, nuk përmbush më misionin e një mediaje publike në shërbim të qytetarëve.“E vërteta historike është se kemi tentuar të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet, por kemi dështuar. Deri tani bilanci i tij është një ‘dështim i suksesshëm’, domethënë nga borxhi në borxh, në mospërfillje”, deklaroi Rama.

Reklame

Kryeministri shkoi edhe më tej, duke theksuar se Shqipëria, sipas tij, nuk ka aktualisht një televizion publik funksional. Ai kujtoi përvojën e tij personale me RTSH-në, duke ironizuar mungesën e ndikimit dhe audiencës së këtij institucioni.“Nuk e kemi një televizion publik në Shqipëri; hera e fundit kur e kam parë ka qenë në vitin 1990, para përmbysjes së sistemit. Kam shkuar i ftuar, por nuk kam parë as veten. Janë të vetmet intervista ku nuk kam marrë asnjë mesazh”, u shpreh Rama.

Në deklaratën e tij, kreu i qeverisë paralajmëroi prerjen e fondeve publike për RTSH-në, duke nënvizuar se taksat e shqiptarëve nuk do të përdoren më për një institucion që, sipas tij, nuk justifikon ekzistencën.“U kam thënë: mbylleni. S’kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, deri kur t’i meritojë”, theksoi ai.

Rama bëri të qartë se të gjitha opsionet janë tashmë në tryezë për të ardhmen e RTSH-së: nga mbyllja e përkohshme apo përfundimtare, te privatizimi apo partneriteti publik-privat.“Çdo opsion duhet të jetë në tryezë: edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përveç kësaj që është sot”, përfundoi Kryeministri.

Deklaratat e Ramës hapin një debat të fortë mbi të ardhmen e medias publike në Shqipëri, rolin e saj demokratik dhe fatin e qindra punonjësve të RTSH-së, ndërsa pritet reagimi zyrtar i institucionit dhe aktorëve të tjerë politikë e mediatikë.

Reklame