Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në qytetin e Korçës, ku një grua 73-vjeçare ka humbur jetën pasi banesa e saj u përfshi nga flakët. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:10, në lagjen nr. 13 të qytetit.

Viktima është identifikuar si Fluturie Potka, e cila jetonte e vetme dhe ishte e paralizuar, duke e pasur të pamundur të largohej nga banesa në momentin kur shpërtheu zjarri.

Reklame

Sipas të dhënave paraprake, shkaku kryesor i humbjes së jetës dyshohet të ketë qenë asfiksia nga tymi, megjithëse e moshuara ka pësuar edhe djegie në pjesë të trupit.

Grupi hetimor dyshon se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një defekt në jorganin elektrik që përdorte viktima për t’u ngrohur. Kjo pistë po verifikohet nga ekspertët përkatës.

Forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe sigurimin e zonës. Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të kësaj tragjedie.

Njoftimi:

Korçë/Informacion paraprak

Më datë 15.01.2026, rreth orës 09.10, në lagjen nr. 13, Korçë, ka rënë zjarr në banesën e shtetases F. P., rreth 73 vjeçe, e cila si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë.

Shërbimet e policisë dhe të zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje, për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit dhe për të bërë dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Reklame