Shqipëria renditet sot si vendi me çmimin më të lartë të naftës në Rajon, i pesti në Europë dhe i shtati në botë, duke lënë pas edhe shtete me ekonomi shumë më të forta dhe të ardhura dukshëm më të larta për frymë.

Në pikat e karburanteve në vend, një litër naftë shitet mesatarisht rreth 170 lekë, që me kursin aktual të këmbimit përkthehet në 2.09 dollarë për litër. Ky nivel e vendos Shqipërinë në krye të renditjes në Ballkanin Perëndimor.

Reklame

Në vendin e dytë në Rajon renditet Serbia, ku një litër naftë kushton rreth 1.92 dollarë. Ndërkohë, krahasuar me Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut apo Kosovën, çmimi i karburantit në Shqipëri është pothuajse dyfish më i lartë.

“Ka shumë diferencë krahasuar me Kosovën, Maqedoninë apo Malin e Zi. Jemi shumë më të shtrenjtë”, shprehen drejtues automjetesh, të cilët theksojnë se kostoja e karburantit është kthyer në një barrë të rëndë për buxhetin familjar.

Në nivel europian, çmim më të lartë të naftës se Shqipëria kanë vetëm Zvicra, Lihtenshtejni, Danimarka dhe Islanda. Renditja e vendit në vendin e pestë lë pas shtete si Irlanda apo Monako, të njohura për standarde të larta jetese dhe të ardhura shumëfish më të mëdha se ato të shqiptarëve.

Në shkallë globale, Hong-Kongu mban vendin e parë me çmimin më të lartë të naftës në botë, mbi 3.56 dollarë për litër, ndërsa Shqipëria renditet e shtata.

“Na ka ikur truri me këto çmime. Janë shumë të shtrenjta në krahasim me rrogat që marrim. Nuk është aspak e këndshme”, shprehen qytetarë të tjerë, duke theksuar se rritja e çmimeve po ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës.

Çmimi i naftës në Shqipëri përbëhet nga kostoja e blerjes së lëndës djegëse në bursat ndërkombëtare dhe nga taksat e tarifat e aplikuara nga qeveria. Aktualisht, çmimi i naftës së papërpunuar në bursë ka shënuar rënie, duke zbritur në rreth 689 dollarë për ton, nga 750 dollarë që ishte një muaj më parë. Paralelisht, edhe dollari amerikan vijon të zhvlerësohet.

Sipas logjikës së tregut, këta faktorë do të duhej të reflektoheshin në ulje të çmimeve në pikat e karburanteve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“I bëjmë thirrje kryeministrit të hapë rafineritë që të ulet çmimi. Janë çmimet më të larta në vitet e fundit”, shprehen disa drejtues automjetesh.

Ndërkohë, pavarësisht çmimeve të larta, importet e karburanteve kanë arritur nivel rekord. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë periudhës janar–nëntor të vitit të kaluar, Shqipëria importoi mbi 671 mijë tonë karburant, sasia më e lartë e regjistruar ndonjëherë, duke thelluar varësinë nga tregjet e huaja dhe presionin mbi çmimet për konsumatorët.

Reklame