Sot shënohet dita më e ftohtë e muajit janar në Shqipëri, me temperatura ekstremisht të ulëta në të gjithë territorin e vendit. Meteorologia Tanja Porja bëri të ditur se, pavarësisht motit kryesisht me diell, të ftohtit do të jetë i ndjeshëm në çdo zonë.

Sipas saj, dita e sotme pritet të jetë dita më e ftohtë e janarit dhe ndoshta edhe e gjithë dimrit 2025–2026, nëse muaji shkurt nuk do të sjellë masa ajrore më të ftohta.

Reklame

Në zonat malore, temperaturat minimale kanë zbritur deri në -12°C, ndërsa vlera negative janë regjistruar edhe në zonat qendrore dhe në pjesën më të madhe të bregdetit.

“Në orët e mesditës, temperaturat do të mbeten nën zero në zonat malore, nga -4°C deri në -1°C. Në ultësirën perëndimore, maksimumet do të variojnë nga 4 deri në 6°C, ndërsa në jugperëndim mund të arrijnë deri në 8°C”, u shpreh Porja në emisionin Dita Jonë në A2 CNN.

Meteorologia paralajmëroi gjithashtu se era do të fryjë mesatare deri herë pas here e fortë, kryesisht nga veriu dhe verilindja, duke rritur ndjeshëm ndjesinë e të ftohtit në të gjithë vendin.

Autoritetet këshillojnë qytetarët të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat malore dhe gjatë orëve të para të mëngjesit dhe mbrëmjes, kur temperaturat pritet të jenë më të ulëta.

Reklame