Shkodër – Një tjetër ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave është zbuluar nga Policia e Shkodrës në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 3”. Ky është laboratori i gjashtë i zbuluar dhe goditur në kuadër të këtij operacioni.

Tre persona u arrestuan në flagrancë: P. N., 27 vjeç, banues në fshatin Torovicë; S. Gj., 24 vjeç, banues në fshatin Mjedë; dhe A. B., 58 vjeç, banues në Shkodër. Ndërkohë, një 33-vjeçar është shpallur në kërkim.

Reklame

Operacioni u realizua nga DVP Shkodër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, Forcën Operacionale dhe “Shqiponja”. Gjatë kontrolleve intensive në ambiente të mbyllura, u zbuluan dhe sekuestruan:

119 bimë të dyshuara narkotike kanabis;

2.17 kg kanabis të tharë;

284 pajisje elektrike për kultivimin e bimëve narkotike;

7 celularë;

1 armë zjarri pistoletë, municion;

Dokumente italiane dhe një palë targa angleze të dyshuara si të falsifikuara;

Vlera monetare në paund anglez;

Orë dore Rolex, byzylykë, unazë dhe disa pajisje të tjera.

Gjithashtu, u ndaluan dhe u proceduan penalisht 7 punonjës të OSHEE-së, të dyshuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim me aktivitetin kriminal.

Policia po vijon kërkimin e shtetasit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Operacioni “Neonët 3” tregon angazhimin e vazhdueshëm të Policisë për goditjen e kultivimit të drogës në ambiente të mbyllura dhe luftimin e aktivitetit kriminal në vend.

Reklame