Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si po menaxhohet turizmi në Sarandë, duke iu referuar vlerësimeve dhe komenteve të turistëve në platforma të ndryshme të udhëtimeve.

Sipas Zhupës, pavarësisht potencialit të lartë natyror dhe turistik të Sarandës, qyteti përballet me problematika që lidhen me trafikun, mungesën e parkimeve, pastërtinë, mbipopullimin, zhurmën dhe infrastrukturën.

Reklame

Zhupa pretendon se Saranda vlerësohet me rreth 2.8 pikë nga 5 në TripAdvisor dhe e konsideron këtë një sinjal alarmi për mënyrën e menaxhimit të qytetit. Ajo argumenton se turistët vlerësojnë bukurinë natyrore dhe detin, por njëkohësisht shprehin kritika për problematikat urbane.

Sipas deputetes së PD-së, përgjegjësia për këto problematika ndahet mes Bashkisë Sarandë dhe qeverisë, përkatësisht për menaxhimin e shërbimeve urbane, infrastrukturën, urbanizimin dhe politikat e zhvillimit turistik.

“Problemi nuk është se Saranda nuk është e bukur, problemi është se po qeveriset keq!”, shprehet Zhupa.

Ajo thekson se Saranda ka një potencial të rëndësishëm turistik për shkak të detit, klimës, trashëgimisë kulturore dhe pozicionit gjeografik, por sipas saj, këto avantazhe nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me shërbime dhe infrastrukturë të përshtatshme.

Zhupa thotë se komentet e turistëve në platformat e udhëtimeve duhet të shërbejnë si një sinjal për institucionet dhe kërkon një model më të qëndrueshëm të zhvillimit turistik.

“Natyra është fantastike, por qyteti turistik nuk funksionon mirë”, është një nga përfundimet e reagimit të saj.

Në fund, deputetja e PD-së kërkon më shumë vëmendje ndaj menaxhimit të qytetit dhe problematikave që, sipas saj, janë ngritur prej vitesh edhe nga banorët e Sarandës.

Lexo edhe:

Ligji i rrëzuar nga fadromat e Ramës/ Ina Zhupa: Turizmi nuk dëmtohet nga privatët, por nga qeveria

Zhupa kundër Kumbaros: “Auditimi i universiteteve po kalon te rektorët, krijohet konflikt interesi”

Reklame