Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për përfundimin e qëndrimit të tij në paraburgim, duke deklaruar se ka qëndruar për 25 muaj nën masën e sigurimit dhe se, sipas tij, kjo masë nuk mbështetej më në dispozitat e procedurës penale.

Në një deklaratë publike të shpërndarë nga avokati i tij, Beqaj thekson se nuk ka qenë i dënuar dhe se, për këtë arsye, nuk e konsideron veten person të burgosur.

Reklame

“Dje pati shumë lajme se gjykata më kishte liruar nga burgu. Në të vërtetë, deri më sot, nuk kam qenë asnjë ditë i burgosur. I burgosur është një person i dënuar me një vendim gjykate të formës së prerë”, shprehet Beqaj.

Sipas tij, ai ka qëndruar për 25 muaj në paraburgim në kuadër të një hetimi të SPAK-ut dhe prej 16 muajsh është i pandehur, por nuk ka marrë deri tani asnjë vendim dënimi, as në shkallën e parë.

Beqaj pretendon se gjykata ka vendosur se afatet ligjore të paraburgimit kishin përfunduar dhe se, për këtë arsye, vendimi për masën e sigurimit të datës 3 korrik 2024 nuk ishte më i vlefshëm.

“Gjykata vendosi dje se qëndrimi im në paraburgim nuk mbështetej më në dispozitat e procedurës penale. Afatet ligjore të paraburgimit kishin përfunduar, çka e bënte të pavlefshëm vendimin për paraburgim të datës 03.07.2024. Ky fakt u pranua edhe nga përfaqësuesi i organit të akuzës”, deklaron ai.

Ish-ministri përmend edhe një vendim të mëparshëm të gjyqtarit të seancës paraprake, për të cilin thotë se kishte vlerësuar se argumentet dhe provat e paraqitura nga organi i akuzës ishin të pamjaftueshme për vijimin e gjykimit.

Beqaj pretendon se ka qëndruar padrejtësisht në paraburgim gjatë 15 muajve të fundit dhe se akuzat ndaj tij janë në kundërshtim me Kushtetutën, Kodin e Procedurës Penale dhe vendime të mëparshme gjyqësore.

Ai kujton gjithashtu eksperiencën e tij në administratën publike, duke deklaruar se ka shërbyer për tre vjet e gjysmë si ministër i Shëndetësisë dhe për dy vjet si drejtor i Përgjithshëm i SASPAC-ut.

Sipas Beqajt, aktualisht ndaj tij janë në zhvillim tri procedime penale në SPAK, ndërsa hetimet, sipas tij, kanë zgjatur për një periudhë të gjatë.

Ai deklaron gjithashtu se gjatë hetimeve nuk është gjetur pasuri e shtuar në mënyrë të paligjshme që të lidhet me detyrat e tij shtetërore.

Në deklaratën e tij, Beqaj shprehet i kënaqur që tashmë ndodhet pranë familjes dhe se, duke nisur nga shtatori, do të marrë pjesë në proceset gjyqësore pa qenë në kafazin e sigurisë.

Ai thotë se synon gjithashtu të ketë akses në versionin elektronik të fashikujve hetimorë, duke pretenduar se këto të drejta i janë mohuar në mënyrë të paligjshme.

Në fund të deklaratës, Beqaj i është përgjigjur edhe një deklarate të bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha, duke paralajmëruar se do të ketë mundësi t’i përgjigjet gjatë procesit gjyqësor për koncesionin e instrumenteve kirurgjikale.

“Nuk do t’i përgjigjem këtu, sepse në vjeshtë do t’i jap mundësinë të thotë edhe më shumë, kur të vijë si dëshmitar në procesin për koncesionin e instrumenteve kirurgjikale”, shprehet Beqaj.

Deklarata e ish-ministrit vjen pas vendimit të gjykatës për ndryshimin e situatës së tij të masës së sigurimit, ndërsa çështjet penale ku ai është i përfshirë vijojnë të jenë në proces.

Lexo edhe:

Ilir Beqaj lirohet nga burgu, ish-ministri kalon në “arrest në shtëpi”

Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Beqajt për zëvendësimin e “arrestit në burg”

Reklame