Një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka humbur jetën mëngjesin e së hënës si pasojë e një aksidenti rrugor pranë pikës kufitare të Vërmicës, në afërsi të Morinës.
Sipas të dhënave zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:40, teksa zyrtari policor ishte duke patrulluar në këmbë pranë zonës kufitare.
Polici, i identifikuar me inicialet R.G., 59 vjeç, dyshohet se është goditur nga një automjet në momentin kur ka tentuar të kalojë rrugën. Automjeti po lëvizte në aksin Prizren–Vërmicë.
Për shkak të plagëve të marra, efektivi i Policisë së Kosovës ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës, Policia e Trafikut e Prizrenit dhe prokurori kujdestar, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë konfirmuar vdekjen e 59-vjeçarit.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i policit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, një shtetas shqiptar me inicialet D.D., është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me ngjarjen tragjike.
Vdekja e zyrtarit policor ka tronditur kolegët dhe institucionet e sigurisë në Kosovë, ndërsa pritet që autoritetet të japin detaje të tjera pas përfundimit të hetimeve.














