Një nga skandalet më të mëdha financiare të viteve të fundit ka shpërthyer në Postën Shqiptare, pasi autoritetet kanë zbuluar një mungesë prej më shumë se 700 mijë eurosh në filialin e Durrësit. Për këtë çështje, Gjykata ka lënë në burg ish-drejtoreshën e Postës së Durrësit, Aurela Mataj, e cila dyshohet se ka qenë në qendër të skemës së përvetësimit të parave.
Sipas Prokurorisë, hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se një pjesë e shumave të përvetësuara mund të jenë përdorur për lojëra fati. Në seancën gjyqësore, prokurori deklaroi se ekzistojnë indicie që ish-drejtoresha frekuentonte ambiente ku zhvilloheshin aktivitete të lojërave të fatit, një pistë që po verifikohet nga hetuesit.
Paratë futeshin me thasë në zyrën e drejtoreshës
Sipas dëshmive të administruara në dosjen hetimore, shuma të konsiderueshme parash transportoheshin në zyrën e drejtoreshës në thasë, pa ndjekur procedurat standarde të administrimit dhe sigurisë financiare. Këto veprime kanë ngritur dyshime të forta mbi mënyrën e menaxhimit të arkës dhe kontrollit të fondeve në institucion.
Hetimet synojnë të zbardhin nëse bëhet fjalë për veprime individuale apo për një skemë më të gjerë, ku mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë.
Hetimet vijojnë
Prokuroria po analizon dokumentacionin financiar, transaksionet dhe dëshmitë e personave të përfshirë për të përcaktuar rrjedhën e parave dhe përgjegjësitë penale.
Ndërkohë, masa e sigurisë “arrest në burg” ndaj ish-drejtoreshës është lënë në fuqi, ndërsa hetimet pritet të zbulojnë nëse fondet e zhdukura janë përvetësuar tërësisht apo një pjesë e tyre ka kaluar te persona të tjerë.
Rasti ka ngjallur reagime të shumta, pasi bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme parash publike dhe për dyshime serioze mbi mënyrën e administrimit të fondeve në një institucion shtetëror. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vijojnë deri në zbardhjen e plotë të mekanizmit të dyshuar të përvetësimit të mbi 700 mijë eurove.
Dyshimet për abuzim 3 milionë euro, shkarkohet drejtoresha e Postës së Durrësit
Zhdukja e 700 mijë € nga Posta Shqiptare në Durrës, “arrest me burg” për ish-drejtoreshën














